Drejtuesja e Shkollës Digjitale dhe StarLabs, Hana Qerimi ishte pjesë e delegacionit së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencën më të madhe në botë rreth teknologjisë, Web Summit, që po mbahet në Lisbonë të Portugalisë.
Në Web Summit, Presidentja Osmani ka mbajtur një fjalim duke diskutuar rreth suksesit dhe potencialit të sektorit të teknologjisë në Kosovë. Ajo është paraqitur në këtë konferencë me delegacionin e saj të bizneseve të suksesshme, duke theksuar rëndësinë dhe arritjet e tyre në vendin tonë dhe përtej.
"Në Web Summit-in e këtij viti në Portugali, unë jam shoqëruar nga një ekip i talentuar i grave dhe djemve të rinj nga sektori në rritje e sipër i TIK-ut në Kosovë", shkroi presidentja Osmani në llogarinë e saj në Twitter pas fjalimit të saj. "Së bashku, ne nuk jemi duke vendosur Kosovën në hartë vetëm si një destinacion kyç në sektorin e TIK-ut, por gjithashtu si një lider rajonal dhe kampion global në këtë sektor"
Nga ana tjetër, Hana Qerimi shprehu qëndrimin e saj ndaj mbështetjes së madhe të Presidentes Osmani duke theksuar se një përkrahje e tillë jo vetëm që forcon kredibilitetin e bizneseve lokale po gjithashtu kontribuon në sfidën e portretizimit të Kosovës pozitivisht në aspektin global.
"Shumë e nderuar që isha pjesë e delegacionit përfaqësues të presidentes Vjosa Osmani në konferencën më të madhe të teknologjisë, Web Summit në Lisbonë", shkroi Hana në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.
"Përkrahja e vazhdueshme e presidentes Osmani në promovimin e bizneseve vendore është një vlerë shumë e madhe për rritjen e besueshmërisë dhe përmirësimin e përshtypjeve për shtetin tonë në arenën ndërkombëtare që mbetet një ndër sfidat më të mëdha për neve", përfundoi Hana.
Ne jemi krenarë që jemi pjesë e kësaj konference globale me mbi 70 mijë pjesëmarrës nga më shumë se 150 vende të ndryshme të botës.