Blog 19 Jan 2024
Me rritjen e vetëdijesimit mbi rëndësinë e mësimit rreth teknologjisë informative, është rritur edhe numri i nxënësve në Shkollën Digjitale, e veçanërisht i vajzave, ku pjesëmarrja e tyre në shumicën e grupeve është rritur dukshëm, dhe aktualisht përqindja e vajzave që mësojnë programim në Shkollë Digjitale është mbi 30%.
Kjo rritje e përqindjes së vajzave, vërehet edhe në organizimet dhe garat e shumta të cilat i organizon Shkolla Digjitale çdo vit, si: ‘48-Hour Hackathon’, ‘Girls in ICT’, ‘November Code Fest’, ‘Summer School’, ‘Hour of Code’ dhe të tjera.
Ky vit, ka filluar me organizimin e kurseve dimërore në Shkollën Digjitale në Prishtinë, ku mbi 100 nxënës kanë përfunduar me sukses kursin intensiv 5 ditor në aftësimin me njohuritë më të kërkuara në treg, dizajn i webit UI/UX dhe inteligjenca artificiale. Në mesin e nxënësve, vërehet një përqindje e madhe e vajzave pjesëmarrëse, të cilat na bëjnë krenar me angazhimin dhe kreativitetin e tyre gjatë zhvillimit të projekteve mbresëlënëse.
Vajzat adoleshente të shkollës tonë kanë krijuar programe kreative dhe funksionale, të cilat sfidojnë edhe projektet profesionale të kompanive teknologjike vendore dhe ndërkombëtare - përfshirë edhe projekte reale për klientë.
Kujtojmë se gjatë vitit 2023, me rastin e ditës së vajzave në TIK, kemi mirëpritur për ditën e ‘Girls In ICT’ mbi 150 pjesëmarrëse në Shkollën Digjitale në Prishtinë për të bashkëbiseduar rreth rrugëtimit të programereve të ardhshme, mundësive të vajzave në industrinë e TIK si dhe storiet e suksesit inspiruese të vajzave.
Në përpjekjen për të promovuar barazinë gjinore, Shkolla Digjitale ka arritur të rrisë pjesëmarrjen e gjinisë femërore në staf dhe në numrin e nxënësve. Ndërsa pjesëmarrja e femrave në staf është mbi 56%, përqindja e tyre në numrin e nxënësve është rreth 30%, duke treguar një angazhim të vazhdueshëm për të inkurajuar dhe përfshirë më shumë vajza në fushën e teknologjisë.
Synimi jonë është vazhdimi i rritjes së përqindjes së vajzave në fushën e teknologjisë (STEM) për t’u afruar deri në 50% vajza dhe 50% djem, në numrin e nxënësve aktiv në shkollë.
Ne ftojmë të gjitha vajzat e grupmoshave 8 - 18 vjeç, që së bashku me ne, të mësojnë kodimin sepse e ardhmja jonë është në duart e juaja.