Edhe viti 2024 ishte një tjetër vit i suksesshëm për Shkollën Digjitale dhe franshizat e saj kudo nëpër botë, me arritje të shumta dhe zgjerim në shtete të reja, duke dëshmuar suksesin e stafit, nxënësve dhe partnerëve tanë në shumë organizime gjatë këtij viti.
Zgjerimi në lokacione të reja
Pas kërkesave të shumta dhe sukseseve përmes franshizave të Shkollës Digjitale nëpër botë, këtë vit kemi zgjeruar rrjetin në tregun e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, me 4 pika në Arabinë Saudite, në Riyadh, Jeddah, Al Hasa dhe Taif, në Egjipt me pikën në Cairo, si dhe me pikën e re në Kosovë, në Suharekë.
Me mbi 2000 nxënës aktivë vetëm këtë vit në Kosovë, po dëshmojmë rritje të cilësisë dhe angazhimit të nxënësve tanë, si dhe po pranojmë në vazhdimësi nxënës të pasionuar për teknologjinë dhe programimin, duke ofruar mundësi më të mira dhe mësim më të personalizuar për secilin. Shkolla Digjitale vazhdon të mbetet shkolla e programimit me shtrirjen më të madhe në Kosovë, sa i përket lokacioneve dhe numrit të nxënësve.
Kemi siguruar ri-akreditimin dhe jemi ri-validuar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve për nivelin 'Junior Programmer' për pesë vitet e ardhshme, duke konfirmuar angazhimin tonë për ofrimin e trajnimeve të standardeve më të larta.