Bashkëthemeluesit dhe drejtuesit e Shkollës Digjitale dhe StarLabs, Hana Qerimi dhe Darsej Rizaj, kanë qenë të ftuarit special në Terminal Podcast të Radio Urban FM, ku ndanë me dëgjuesit historitë frymëzuese të dy kompanive duke filluar nga themelimi i tyre, edukimi i fëmijëve nga mosha 8 deri në 18 vjeç në fushën e programimit, përkrahja dhe punësimi i programerëve, ndikimi në këtë sektor në nivel vendor e deri te suksesi dhe bashkëpunimi në nivel ndërkombëtar.
Fillimisht, ata treguan lidhur me hapat e parë drejt themelimit të Shkollës Digjitale shtatë vite më parë që ka filluar si ide për të krijuar një kurs për fëmijë dhe të rinj ku do të mësonin gjuhë programuese, ide e cila nisi me një buxhet nga kursimet e tyre dhe ndihma e familjarëve, gjithmonë me qëllimin që të zhvillohet një shkollë me përmasa sa më të mëdha.
“Në atë kohë, e kemi parë mungesën e madhe të programerëve në Kosovë, prandaj ideja jonë ishte që të krijonim një shkollë në të cilën fëmijët e moshave të hershme do të mund të mësonin rreth teknologjisë dhe programimit, prandaj filluam me kampanja të vetëdijesimit rreth mësimit të programimit ku nxënësit e parë filluan të tregonin rezultate të suksesshme me zhvillimin e aplikacioneve të tyre”, tha Hana.