Fjalimi historik i Presidentes Osmani në Parlamentin Evropian, ku përfshinë storien inspiruese të Shkollës Digjitale dhe StarLabs:
“Dhe teksa flas për një të ardhme më të mirë, nuk mund të mos mendoj për Hana Qerimin, e cila po më shoqëron në këtë vizitë. Ajo është bashkëthemeluese e Digital School dhe StarLabs, të cilat filluan si dy kompani të vogla në kryeqytetin tonë Prishtinë, fillimisht me vetëm dy punonjës – atë dhe bashkëshortin e saj. Sot, startup-et e tyre janë rritur e shndërruar në marka globale me 500 vendndodhje në mbarë botën. Si shumë biznese të tjera në këtë sektor, ata po e bëjnë Kosovën lider në rajon si qendër teknologjike.
Ndërsa suksesi i kompanisë filloi të kapërcejë kufijtë dhe oqeanet, Hanës i është dashur të kapërcejë sfida pothuajse të pamundura gjatë rrugës. Për shkak të proceseve të vështira dhe burokratike, ajo shpesh do të humbiste mundësinë të gëzonte suksesin e saj e po kështu do të humbiste mundësinë e saj të ardhshme për zhvillimin e biznesit, pasi vizat e saj të lëshuara nga BE-ja do t'i skadonin para se të mund të udhëtonte. Ajo duhej të aplikonte dhe riaplikonte disa herë në vit.
Jeni ju, ky Parlament, që prej vitesh luftoni bashkë me ne për kauzën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Dua të falënderoj secilin prej jush për mbështetjen tuaj të zëshme dhe për votën më të fundit përmes së cilës i dhatë Hanës dhe të rinjve të tjerë të shkëlqyer dhe ambiciozë në vendin tim mundësinë për të lulëzuar ashtu si bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë Bashkimin Evropian”, tha mes tjerash Presidentja Osmani.